Kandidatët për doktoraturë ndërmarrin kërkime origjinale me qëllim për të dhënë një kontribut të rëndësishëm në fushën e tyre të zgjedhur

Studimet e Doktoratës

Studimet e doktoratës ndërtohen mbi programe individuale për aftësim të pavarur të kandidatëve në kërkimin shkencor në fushat e përcaktuara nga njësia bazë ose njësia kryesore. Ato kanë në themel kërkimin shkencor dhe veprimtaritë krijuese. Studimet e doktoratës zgjasin jo më pak se tri vite akademike dhe jo më shumë se pesë vite akademike.

Në përfundim të studimeve të doktoratës lëshohet diploma e gradës shkencore “Doktor”. Institucionet e arsimit të lartë vendosin kritere për vlerësimin vjetor të ecurisë së kandidatëve dhe vazhdimin e punës për zhvillimin e projektit kërkimor. Cikli i tretë i studimeve të doktoratës përfshihet në nivelin e 8-të të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve.

Studimet e doktoratës zhvillohen me kohë të plotë pranë njësisë bazë ose me kohë të zgjatur në ato raste kur doktoranti është i punësuar si personel akademik në një institucion tjetër të arsimit të lartë apo si personel kërkimor në një institucion të kërkimit bazë ose të zbatuar. Kur studimet e doktoratës zhvillohen në bashkëpunim midis institucioneve të arsimit të lartë, pjesë të procesit kërkimor, mund të zhvillohen pranë institucioneve bashkëpunuese.

Studentët në proces që vijojnë programin e studimit në doktoratë dhe e kanë nisur programin e studimit të doktoratës para hyrjes në fuqi të Ligjit 80/2015 “Për arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në institucionet e arsimit të lartë në RSH”, i përfundojnë ato sipas kritereve dhe modaliteteve të legjislacionit të kohës që janë pranuar.

Shkolla e Doktoraturës ofron një mjedis mbështetës për nxitjen e kërkimit shkencor, me hapësirën dhe kushtet e nevojshme për të siguruar që ju të përfundoni me sukses programin tuaj të kërkimit.