Universiteti i Tiranës Kontakt Portali

Master Profesional në Menaxhim Turizmi

Titulli akademik i studimit Diplomë e Masterit Profesional në Menaxhim Turizmi
Cikli i studimit Studime të Ciklit të Dytë
Emri dhe statusi i institucionit Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, Institucion publik
Gjuha e përdorur në mësimdhënie/ provime Shqip
Kohëzgjatja zyrtare e programit të studimit 1.5 vjet
Forma e studimit Me kohë të plotë

Kushtet e pranimit në programin konkret të studimit

Studentët që kanë përfunduar studimet bachelor në degën Administrim- Biznesi dhe në degën Financë-Kontabilitet të Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, pranohen në programin e Masterit pa plotësim të njohurive formuese. Studentët që kanë përfunduar studimet bachelor në degën Administrim Biznes dhe në degën Financë-Kontabilitet në fakultete të ekonomisë (publike/jopublike–vendase/të huaja), mund të pranohen pasi të jetë kryer njohja e diplomave të tyre sipas rregulloreve përkatëse të Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës.

Studentët që kanë përfunduar studimet bachelor në degën Ekonomiks dhe në degën Informatikë Ekonomike të Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, pranohen në programin e Masterit pas plotësimit të njohurive të tyre formuese.


Objektivat dhe veprimtaritë formuese të programit të studimit

Objektivi kryesor i këtij programi studimi është formimi i ekspertëve dhe specialistëve të mirëfilltë në fushat praktike të turizmit. Programi Master Profesional në Turizëm është me natyrë të fokusuar aplikative dhe ofron formim kryesisht praktik për arritjen e objektivave profesionale në fushën e turizmit, me synimin e pajisjes së studentit me aftësi dhe njohuri të thelluara të kuadrit zbatues në fushën e turizmit për të garantuar një karrierë të suksesshme profesionale.

Në fokusin e tij të plotë, ky program studimi gërsheton njohuri teorike dhe praktike për të inkurajuar tek studenti mendimin kritik dhe kreativ, si dhe t’i ekspozojë ata drejt çështjeve bashkëkohore dhe kyçe në fushën e turizmit nëpërmjet një modeli mësimi të mbështetur fuqishëm nga praktikat më të mira. Programi Master Profesional në Turizëm synon të sigurojë një aparat të plotë dhe të fokusuar njëkohësisht, ai i profilizon studentët në fusha të ndryshme të turizmit si:

  • Menaxhimi i Turizmit të Qendrueshëm dhe Trashëgimnia Kulturore dhe Natyrore;
  • Menaxhimi i Ndërmarrjeve Hoteliere dhe Udhëtimeve Turistike;
  • Menaxhimi i Marrëdhënieve me Klientët dhe Menaxhimi Strategjik i Markës;
  • Menaxhimi dhe Marketingu i Shërbimeve Turistike;
  • Menaxhimi i Destinacioneve Turistike dhe Sjellja Konsumatore në Turizëm;
  • Elementë të Drejtimit Financiar dhe Analiza e Pasqyrave Financiare, etj,.

Ky program studimi përgatit specialistë turizmi me cilësi dhe shprehi të larta teknike dhe profesionale drejt një karriere të suksesshme, në përputhje me modelet dhe vizionet bashkëkohore të strukturave institucionale publike dhe private, në kontekstin e globalizimit dhe integrimit europian.


Skema e vlerësimit

Shkalla e përvetësimit të programit mësimor vlerësohet me sistem notash nga 1 në 10, ku notat kanë kuptimin e mëposhtëm: 1-4 mbetës, 5 mjaftueshëm, 6 kënaqshëm, 7-8 mirë, 9 shumë mirë, 10 shkëlqyer.

Gjatë provimeve aplikohet një sistem pikësh, rezultatet e të cilave konvertohen në nota bazuar në skemën e mëposhtëme:

Nota Pikët
4 deri në 50 pikë
5 51-57
6 58-65
7 66-73
8 74-81
9 82-89
10 90-100

Mundësitë e punësimit dhe të kualifikimit profesional

Pas përfundimit të këtij programi studimi, në sajë të njohurive të marra, studenti ka akumuluar gjithë aftësitë e nevojshme si ekspert turizmi në një nivel të lartë njohurish shkencore teorike dhe praktike, duke bërë që një diplomë e tillë të mundësojë punësimin në institucione në nivel qëndror dhe lokal, ente, kompani (publike apo private), shoqata të ndryshme, etj., si specialist i fushës përkatëse të studimit apo në rolin e menaxherit në fushën e turizmit.


Detajet e programit të studimit

Nr. Lënda ECTS Orë gjithsej Semestri
1 Menaxhimi i Turizmit të Qendrueshëm 6 60 I
2 Trashëgimnia Kulturore dhe Natyrore 6 60 I
3 Menaxhimi i Ndërmarrjeve Hoteliere Turistike 6 60 I
4 Menaxhimi i Ndërmarrjeve të Udhetimeve Turistike 6 60 I
5 Menaxhimi i Destinacioneve Turistike 6 60 I
6 Menaxhimi i Marrëdhënieve me Klientët 6 60 II
7 Menaxhimi Strategjik i Markës 6 60 II
8 Sjellja Konsumatore në Turizëm 5 45 II
9 Menaxhimi dhe Marketingu i Shërbimeve Turistike 7 75 II
10 Sistemet e Informacionit 6 60 II
Lëndë me Zgjedhje
11 Elemente të Drejtimit Financiar 5 45 II
Analiza e Pasqyrave Financiare
12 Praktika 15 300 III
13 Mikroteza 10 50 III
Gjithsej 90 995